Një vit pasi u vendos në listën e zezë të Departamentit amerikan të shtetit dhe u shpall persona “non-grata”, kryetari i komunës së Strugës, Merko, sot është paraqitur në gjykatë për rastin e emërimit të paligjshëm të ushtruesit të detyrës së drejtorit në shkollën fillore të fshatit Llabunisht. Sipas aktakuzës, Merko në vend që të caktojë u.d nga radhët e të punësuarve, ka emëruar drejtore pa përvojë përkatëse në punë edukative-arsimore.
“Ndaj kryetarit të komunës së Strugës është ngritur aktakuzë. E njëjta mbështetet me prova, andaj fajësia do të vërtetohet në gjykim”, deklaroi Valnesa Bizati Bilalli- Prokurore publike.
Seanca kryesore është shtyrë pasi mbrojtja e Merkos kërkoi bashkimin e kësaj procedure me të tjera, që gjithashtu kanë të bëjnë me emërimin e drejtorëve në shkolla të tjera.
“Qëndrimi i mbrojtjes është se nuk ka asnjë provë të vetme në këtë rast, që të konkludojë se kryetari ka kryer ndonjë vepër penale”, tha Igor Petkovski- avokat i Merkos.
Merko iu shmang kamerave. Ndaj tij prokuroria e Strugës ka ngritur edhe dy kallëzime të tjera, për emërim të paligjshëm të drejtorëve në shkollat në Strugë, gjegjësisht në fshatin Podgorcë dhe në fshatin Veleshtë, ku e akuzuara e parë është mësuesja e gjuhës frënge në Veleshtë, e cila përdori tre dokumente false për të dhënë provimin profesional në Qendrën shtetërore të provimeve.
“Tre persona të tjerë, kryetari i komunës së Strugës, drejtori dhe ndihmësdrejtori i shkollës kanë pranuar dokumentet e falsifikuara në procedurë për dhënien e provimit profesional, punësimin si mësimdhënës, por edhe për caktimin e të dyshuarës së parë për u.d drejtore të shkollës në periudhën nga 19.04.2022 deri më 06.09.2023”, njoftojnë nga PTHP Strugë.
Merko duhet të dalë para gjykatës më 3 qershor, për blerjen e audios luksoze A6. Gjithsej 30 raste janë hapur kundër Merkos nga viti 2006 deri në vitin 2023. Por, 14 prej tyre tashmë janë të vjetruara. /Alsat.mk