Nga e hëna, nxënësit shqiptarë të Idrizovës që tashmë duhet të jenë në klasë të gjashtë por akoma nuk kanë nisur vitin shkollor mësimin do ta ndjekin në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair. Këtë e konfirmoi për Alsat ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri duke përsëritur se zgjidhja është e përkohshme. Përveç këtij vendimi, Shaqiri ka nisur edhe procedurën e marrjes së kompetencave për shkollën “Njegosh” të komunës Gazi Babë për shkak të mos hapjes së paraleles shqipe për nxënësit e klasës së gjashtë dhe shkarkimin e drejtoreshës së Shkollës. Kjo ka revoltuar prindërit maqedonas të nxënësve të kësaj shkolle të cilët nga sot kanë nisur bojkot të plotë të mësimit dhe për këtë vendim tashmë kanë informuar edhe Komunën e Gazi Babës. Përveç bojkotit prindërit kërkojnë të reagojë edhe kryeministri Dimitar Kovaçeski dhe organizimin e protestave në rrugë dhe para ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, zv kryeministri Artan Grubi, ngjashëm sikurse gjatë fushatave parazgjedhore premtoi ndërtimin e shkollës në Idrizovë.

“Nuk mund t’i kuptoj as prindërit dhe as kryetarin e komunës që kanë paragjykime ndaj mësimit të nxënësve në gjuhën e tyre amtare. Kryetari i komunës kërkon ndërtesë të re për të mësuar nxënësit shqiptarë që është një segregacion i paparë por çfarëdo qoftë që duhet dhe nevojitet do ta bëjmë që ta zgjidhim dhe këtë çështje”, tha Artan Grubi, zv kryeministër.

Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në atë të nëntë në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi Babë. Ndërtimin e një objekti shkollor në Idrizovë deri tani e kishin premtuar thuajse të gjithë ministrat e Arsimit nga radhët e BDI-së. /Alsat.mk