Odat ekonomike nuk janë kundër rritjes së pagës minimale, por nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore theksojnë se pjesa e kontributeve shtesë që lind nga rritja e pagave duhet të kompensohet nga shteti, ose të ndryshohet ligji që kontributet të mbeten të njëjta deri sa të rritet paga.
“Ne jemi për rritjen e pagës minimale menjëherë. Kemi propozuar që të rritet nga 20 mijë në 30 mijë denarë. Por ne propozuam që rritja e rrogës minimale, me qenë se bëhet në mënyrë administrative, ne kemi kërkuar nga institucionet, por edhe vet qeveria për atë pjesë 30 mijë denarë, vjen fjala 10 mijë denarë të cilën e paguajmë plus që duam ta rrisim, por edhe më shumë se 30 mijë, por të merr obligim edhe shteti që kontributet, një pjesë të rritjes ta kompenson shteti”, tha Nuhi Aliu.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, në një deklaratë për Televizionin 21 tha se qëndrimi i qeverisë është i qartë: çdo vit në muajin mars do të ketë rritje të pagës minimale bazuar në të dhënat e institucioneve. Sipas Durmishit, qeveria është e gatshme të ndihmojë sektorin privat në rast se ata dëshirojnë të rrisin pagat në këtë sektor.
“Në muajin mars që vjen do behët harmonizimi i pagës minimale dhe do shohim se sa do jetë. Përafërsisht nga 1500 deri në 2000 denarë do të jetë më e lartë paga minimale vitin që vjen, por duhet të presim të mbyllet viti kalendarik dhe t’i marrim të dhënat nga Enti Statistikor, apo institucioni relevant që është në shtetin tonë dhe të bëjmë publike se sa do të jetë paga minimale”, tha Besar Durmishi.
Në Maqedoni për momentin paga minimale është 24 400 denarë, ndërsa propozimet janë që rroga minimale në Maqedoni të jetë jo më pak se 30 mijë denarë. Një rritje e tillë sipas ministrisë së ekonomisë mund të shkaktoj inflacion dhe sektorin privat ta fus në krizë financiare.




