Deputetët do të drejtohen sërish në Kuvendin e Kosovës – sot për herë të 17-të – në tentim për konsituimin e përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Të enjten, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Po atë ditë, deputetët nuk arritën ta bëjnë konstituimin e Kuvendit, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por ajo s’arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme asnjëherë.
Pas gjashtë tentimeve për ta bërë Haxhiun kryeparlamentare, më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të ri të bëhet përmes votimit të fshehtë – gjë që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re, për të cilën duhen gjithashtu 61 vota.