Pozita e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë, e cila i takonte BDI-së, tani do të kalojë në duart e LSDM-së. Artan Grubin në Qeverinë teknike pritet ta zëvendësojë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq. Megjithatë, Grubi mbetet ministër i sistemit politik në qeverinë e kryesuar nga Talat Xhaferi.

Me ndryshimin e fundit tashmë është e qartë përbërja e re e qeverisë, detyra e së cilës është t’i organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara për më 8 maj. Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së i konfirmoi propozimet e tyre për ministra dhe zëvendësministra. Avokati Pançe Toshkovski pritet ta zëvendësojë Oliver Spasovskin në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Toshkovski është kryetar aktual i komisionit juridik të VMRO-DPMNE-së dhe nuk ka pasur përvojë në MPB, por në biografinë e tij thuhet se ka magjistruar në të drejtën penale dhe kriminologji. Siç dihet, socialdemokratët paraprakisht për zv/ministër e kanë propozuar Mitko Bojmacaliev shef i kabinetit të Spasovskit.

Për vendin e Jovana Trençevskës ministre e Punës dhe Politikës Sociale, VMRO-DPMNE e propozoi Gjoko Velkovskin. Ai është kuadër i Ministrisë, por për publikun u bë i njohur pasi për më pak se dy vjet e mbajti pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Qytetin e Shkupit. Velkovskin në këtë pozitë e emëroi kryetarja Danela Arsovska, e cila më pas e shkarkoi për shkak të skandalit me stacionin e filtrimit. Ai, nga ana tjetër, pohonte se vetë është larguar nga posti, sepse Arsovska kishte prioritete të tjera. Ndryshe, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ministrja aktuale Trençevska do të jetë zëvendësministre shtesë nga radhët e LSDM-së.

Sa i përket zëvendësministrave, VMRO-DPMNE-ja e propozoi në Ministrinë e Bujqësisë Cvetan Tripunovskin, i cili të njëjtën pozitë e mbante edhe në qeverinë teknike të kaluar. LSDM, nga ana tjetër, akuzon se Tripunovski ka pasur kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Zëvendësministre plotësuese e Financave, me propozim të opozitës, pritet të jetë Elena Petrova, e cila nga partia është paralajmëruar si ekonomiste me përvojë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Këshilltari aktual në Qytetin e Shkupit dhe sekretari ndërkombëtar i VMRO-DPMNE-së, Stefan Andonovski, është propozimi për zëvendësministër shtesë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nga VMRO-DPMNE-ja theksuan se bëhet fjalë për kuadro të shkëlqyera që do të japin maksimumin për mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike. Kryetari i partisë Hristijan Mickoski, megjithatë, dje në një intervistë televizive përsëriti se VMRO-DPMNE është për heqjen e modelit teknik të qeverisjes dhe tha se pret që opinioni të jetë dëshmitar i grindjeve dhe, siç tha ai, tmerrit në njëqind ditët e ardhshme. LSDM-ja sot është përgjigjur se VMRO-DPMNE nuk ka ndonjë ofertë programore, ndërsa tani është vërtetuar se nuk ka as potencial kadrovik.

Propozimi i përbërjes së qeverisë teknike:

Talat Xhaferi – Kryeministër
Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër i parë i angazhuar për çështjet evropiane
Artan Grubi – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Sistemit Politik
Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike
Slavica Grkovska – Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë
Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme
Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë
Risto Penov – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale
Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme
Fatmir Besimi – Ministër i Financave
Blagoj Boçvarski – Ministër i Transportit
Ljupço Nikolovski – Ministër i Bujqësisë
Slavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes
Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit
Gjoko Velkovski – Ministër i Punës dhe Politikës Sociale
Bisera Kostadinovska Stojçevska – Ministre e Kulturës
Kaja Shukova – Ministre e Mjedisit Jetësor
Azir Aliu – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës
Fatmir Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë
Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë