Përvjetori i 26-të i Çlirimit të Kosovës është shënuar me një ceremoni shtetërore të organizuar nga Kryeministri Albin Kurti, ku morën pjesë figura të rëndësishme politike nga Maqedonia e Veriut, duke shprehur solidaritet dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta kombëtare.
Në këtë ngjarje solemne, morën pjesë përfaqësues nga koalicioni VLEN, përfshirë Arben Fetain, deputeten Mimoza A. Musa, zëvendësministrin e Bujqësisë Albrim Hoxha, kryetaren e FRASH-it Yllka Nuredini, si dhe përfaqësues të tjerë politikë. Ata theksuan rëndësinë e çlirimit si një moment historik që simbolizon sakrificën, lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, gjithashtu ishte pjesë e ceremonisë, së bashku me deputetin Bekim Sali. Ai vlerësoi kontributin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në skenën politike të Kosovës, duke përmendur energjinë e re që kjo lëvizje ka sjellë në rajon. Ibrahimi uroi suksese Kryeministrit Kurti në rrugëtimin e tij politik, duke e cilësuar këtë përvjetor si një simbol të frymës së re dhe bashkëpunimit rajonal.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kujtoi qëndresën heroike të shqiptarëve përballë një okupatori shekullor, duke theksuar se sot Kosova është një shtet i sigurt dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Ai paralajmëroi se kërcënimet ndaj Kosovës nuk kanë përfunduar, por kanë marrë forma të reja përmes individëve që përpiqen të minojnë vlerat kombëtare.
“Të gjithë ata që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës meritojnë mirënjohjen tonë të përjetshme,” u shprehën përfaqësuesit e pranishëm, duke e përmbyllur mesazhin e tyre me urimin e përbashkët: “Gëzuar Dita e Çlirimit, Kosovë!”