Agjencia e Zbatimit të Gjuhës nga sot përforcohet edhe me 15 profesionistë të rinj, të cilët janë angazhuar për të ndihmuar në avancimin dhe zbatimin cilësor të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe me këtë për të ofruar shërbime edhe më efikase.
Drejtori i Agjencisë, Granit Osmani,u shpreh se rëndësia e këtij institucioni është i madh për garantimin e barazisë gjuhësore dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ky përforcim është një ndihmë e çmuar për Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës dhe një hap i rëndësishëm për të siguruar zbatimin e plotë dhe praktik të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet institucionale. Me këtë hap, rritet kapaciteti ynë për të trajnuar administratën dhe për të ofruar mbështetje teknike aty ku ka nevojë”, ka thënë drejtori Osmani.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe profesionalizëm për të garantuar të drejtën e qytetarëve për përdorimin e gjuhës dhe për të forcuar funksionalitetin institucional të gjuhës (shqipe) në jetën publike.