Një incident kritik është shpallur pranë një stacioni të metrosë në verilindje të Londrës pasi raportohet se një burrë me “shpatë” sulmoi kalimtarët dhe oficerët e policisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, burri, përplasi një automjet në një shtëpi në Thurlow Gardens, përpara se të raportohej se sulmoi një numër njerëzish, tha policia.
Bëhet e ditur se 36-vjeçari dyshohet se kishte sulmuar anëtarët e publikut dhe dy oficerë policie përpara se të arrestohej përfundimisht.
Policia Metropolitane është njoftuar për ngjarjen pak para orës 7 të mëngjesit të sotëm.
Në vendngjarje janë dërguar edhe ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit, si dhe një numër ambulancash.
Shërbimi i Ambulancës në Londër tha se ata trajtuan pesë persona në vendngjarje dhe i dërguan të pesë në spital.
Aktualisht nuk dihet gjendja e të plagosurve dhe oficerët nuk po kërkojnë më të dyshuar. Stacioni i metrosë Hainault në Ilford është mbyllur nga policia pas incidentit. Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan reagoi duke thënë ishte “absolutisht i prekur” nga lajmet për incidentin.