8 C
Tetovo
E enjte, 3 Korrik, 2025
BallinaLajmeMaqedoniProfesor Mitasin Beqiri, emër serioz në garën për Vrapçishtin, kandidat i mundshëm...

Profesor Mitasin Beqiri, emër serioz në garën për Vrapçishtin, kandidat i mundshëm i pavarur me mbështetje të gjerë qytetare

Gara për kryetar të Komunës së Vrapçishtit po hyn në një fazë gjithnjë e më dinamike, me zhvillime që paralajmërojnë një përballje të fortë dhe interesante në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Deri më tani, kandidatura e vetme e shpallur publikisht është ajo e Isen Shabanit, ish-sekretarit organizativ të Aleancës për Shqiptarët, aktualisht pjesë e rrethit të ngushtë të Arben Taravarit, me të cilin synon një mandat të tretë radhazi në krye të komunës.

Shabani, që në opinionin publik njihet me nofkën “djali i Ali Ahmetit”, është përfolur gjerësisht si figurë e dërguar nga lideri i BDI-së për të shërbyer si urë lidhëse mes dy klaneve të ndara të Aleancës së Taravarit dhe Selës, një afrim që nuk rezultoi të jetë jetëgjatë dhe as funksional në praktikë. Me përçarjet e thella që ndajnë dy kampet, kandidatura e tij shihet me dyshim dhe skepticizëm nga një pjesë e konsiderueshme e elektoratit opozitar në komunë.

Në këtë kontekst, pritet me interes edhe qëndrimi i koalicionit opozitar VLEN, i cili ende nuk ka bërë publike ndonjë kandidaturë zyrtare për Vrapçishtin. Megjithatë, sipas burimeve të brendshme, aktualisht po zhvillohen anketa të thelluara për të identifikuar kandidatin më të përshtatshëm për këtë garë të rëndësishme.

Një emër që po përmendet gjithnjë e më shpesh si alternativë serioze dhe e konsoliduar është ai i profesorit të njohur universitar, Mitasin Beqiri. Sipas burimeve të afërta me strukturat lokale të VLEN, Beqiri është propozuar nga një grup qytetarësh dhe intelektualësh të komunës si kandidat i pavarur, me mundësi reale për të marrë mbështetjen e VLEN-it, skemë kjo që ngjan me rastin e Strugës, ku koalicioni opozitar ka paralajmëruar përkrahje për kandidatin e pavarur Mendi Qyra.

Profesor Beqiri gëzon respekt të gjerë ndër qytetarët për qëndrimin e tij dinjitoz opozitar ndër vite dhe për kontributin e tij intelektual në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Ai ka një profil të veçantë, duke përfaqësuar një alternativë të qartë kundrejt modelit të vjetruar klientelist të përfaqësuar nga BDI dhe figurave të saj të ricikluara nën ombrellën e Taravarit. Me një përvojë mbi një dekadë si dekan i Fakultetit të Sigurisë në universitetin FON në Shkup, Beqiri ka dhënë një kontribut të rëndësishëm akademik në fushën e kriminologjisë, penologjisë dhe të drejtës penale, duke publikuar një sërë artikujsh dhe analizash me vlerë shkencore e praktike.

Mbështetja e tij e mundshme nga VLEN shihet si një hap strategjik që mund të rrisë ndjeshëm shanset për ndryshim në Vrapçisht, duke mobilizuar elektoratin e zhgënjyer me qeverisjet e deritanishme dhe duke sjellë një frymë të re në skenën lokale.

Nëse ky konfigurim konkretizohet, atëherë gara në Vrapçisht do të merrte përmasa shumë më interesante, ku përballja do të ishte mes status quo-së së komprometuar dhe një vizioni të ri, të përfaqësuar nga një figurë me integritet të padiskutueshëm dhe bagazh të pasur intelektual.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments