Prokurorët po mbledhin prova për Grubin dhe gjyqtarin Bexheti, të cilët së fundmi u futën në listën e zezë nga SHBA-të. Pas formimit të lëndës, e cila duhet të zbulojë veprën, prokuroria ka kërkuar dokumentet nga organet gjyqësore për zhvillimin e procedimit disiplinor ndaj Bexhetit.
“Një hetues i Qendrës Hetimore të Prokurorisë, ka kërkuar dhe ka marrë nga Këshilli Gjyqësor të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve që kanë vepruar në lëndën e njohur në opinion si “Shënjestra-Fortesa””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Në atë procedurë, gjyqtari i apelit u dënua me 20 për qind të rrogës për një periudhë gjashtëmujore. Bexheti si gjyqtar raportues, me muaj të tërë nuk e zgjidhte lëndën ndaj Sasho Mijallkovit për përgjimet masive, kështu që u krijuan kushte që ajo të vjetërsohej.
Për momentin gjyqtari nuk ka komentuar vendimin e SHBA-ve për ta vendosur në listën e zezë. Ndërsa Grubi është tërhequr nga partia dhe sfera publike, duke pretenduar se është i pastër si loti.
Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor informoi se janë të përkushtuar për t’u përballur me korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe se do të marrin të gjitha kompetencat që ofrojnë ligjet për gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor.