8 C
Tetovo
E martë, 15 Korrik, 2025
BallinaLajmeMaqedoniProkuroria ngrit akuzë kundër sulmuesve të ekipit të ALSAT

Prokuroria ngrit akuzë kundër sulmuesve të ekipit të ALSAT

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup ka ngritur akuzë ndaj dy personave, të cilët ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, sipas nenit 382 paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal.

PTHP Shkup njoftoi sot se më 9 korrik, pranë një vendgrumbullimi të hekurit të vjetër në rrugën “Indira Gandi” në Shkup, të pandehurit – një burrë dhe një grua – bashkërisht, duke përdorur forcë, i penguan gazetarin dhe kameramanin e dëmtuar të televizionit Alsat M në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, përkatësisht në raportimin për zjarrin që kishte shpërthyer në deponinë e hekurit në Vizbeg.

“Gazetari dhe kameramani, me distinktivë të televizionit, kishin arritur në vendngjarje për të përgatitur një kronikë, por të pandehurit fillimisht u kishin thënë se nuk kishin leje për të xhiruar, pasi deponia ishte pronë private në pronësi të tyre. Kur ekipi televiziv vazhdoi me punën e tyre zyrtare, fillimisht gruaja e pandehur e kishte sulmuar fizikisht kameramanin – e kishte goditur me shkelm dhe me grusht, e kishte kapur për fyti, e kishte rrëzuar dhe i kishte dëmtuar kamerën. Gazetari ishte ndërhyrë për të mbrojtur kameramanin dhe pajisjet, dhe kishte nisur të filmonte me telefonin e tij”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.

E pandehura, sipas njoftimit, e kishte goditur edhe gazetarin me shkelm, ia kishte rrëzuar telefonin në tokë dhe ia kishte marrë atë. Në atë moment ishte afruar edhe i pandehuri tjetër, duke kërcënuar dhe fyer, dhe ia kishte dhënë një shuplakë gazetarit dhe e kishte larguar nga vendi.

Prokurori publik ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup edhe një propozim për vazhdimin e masave të mëparshme – paraburgim për të pandehurin dhe arrest shtëpiak për të pandehurën.

“Në të njëjtën kohë, vazhdon edhe procedura parahetimore në lidhje me zjarrin e ndodhur në deponi dhe pasojat e tij. Prokurori kompetent edhe dje ka kryer inspektim në vendin e ngjarjes, i cili është siguruar. Prokurorisë Themelore Publike Shkup i janë dorëzuar edhe rezultatet e matjeve të substancave toksike në ajër në Shkup menjëherë pas zjarrit, të cilat janë kryer nga një ekip special i njësisë për mbrojtje atomike, biologjike dhe kimike të ARM-së, me kërkesë të prokurorit kompetent. Këto rezultate janë duke u analizuar, ndërsa ndërkohë po ndërmerren edhe veprime të tjera me qëllim që të hetohen të gjitha dyshimet për ndonjë vepër të mundshme penale dhe rrezikim të mjedisit jetësor nga mbetjet”, thuhet në njoftimin e PTHP Shkup.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments