Koment nga redaksia
Një dezertim politik nga fushata për të fituar poena nga Tirana
Protesta që Ali Ahmeti paralajmëroi në Tiranë, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë për UÇK-në, ajo është një skenë e dëshpërimit politik, një përpjekje e vonuar për të shpëtuar nga disfata që e pret më 19 tetor.
Pas dy dekadash në pushtet, Ahmeti kërkon strehë nën flamurin e luftës, por harron se UÇK-ja ishte simboll i sakrificës, jo i privilegjit dhe korrupsionit.
Në Kosovë, ish-krerët e UÇK-së po përballen me drejtësinë në Dhomat e Veçanta të Hagës, një gjykatë që vetë institucionet e Republikës së Kosovës e themeluan për të treguar se shqiptarët nuk kanë frikë nga e vërteta.
Ata luftuan për liri, e sot po përballen me procese të padrejta, ndërsa Ali Ahmeti po përdor emrin e tyre për qëllime elektorale.
Ky është dallimi mes atdhetarëve që sakrifikuan dhe politikanëve që u fshehën pas sakrificës.
Në këtë teatër politik, protesta e Tiranës duket si maskaradë e sponsorizuar nga hijet e ish pushtetit që për vite kanë jetuar mbi gënjeshtra dhe frikë.
Në prapaskenë endet “kaçaku me mjekër”, ish-zyrtari i lartë që dikur pozonte si krahu i djathtë i liderit, e sot endet nëpër hapësirat shqiptare, i shpallur i padëshiruar nga Amerika dhe i kërkuar nga drejtësia për korrupsion e hajni.
Një figurë që mishëron gjithçka që UÇK-ja nuk ishte kurrë: mashtrim, servilizëm dhe ikje nga përgjegjësia.
Kjo nuk është protestë për drejtësi, është paradë e frikës dhe e dështimit.
Një tentativë për të ringjallur emocionet kombëtare për të fshehur krizat që po e fundosin BDI-në dhe për të shpëtuar një strukturë politike që nuk ka më as legjitimitet dhe as dinjitet.
Më 19 tetor, shqiptarët nuk do të votojnë për premtime boshe, as për flamuj të keqpërdorur, por për të rikthyer dinjitetin dhe moralin në politikë.
Sepse, ndryshe nga ata që e tradhtuan idealin, populli ende e mban të gjallë frymën e UÇK-së, jo në fjalë, por në ndërgjegje.