Humbja e AKI-së në zgjedhjet lokale shihet si rezultat i një procesi të gjatë të konsumimit politik, korrupsionit të thellë dhe mungesës së rezultateve konkrete për qytetarët.
Në vend që të ofronte diçka të re për shqiptarët, lideri i kësaj strukture, Ali Ahmeti, e nisi fushatën me tone agresive dhe fjalor që më pak i kishte hije një lideri me përvojë. Fyerjet ndaj kundërshtarëve politik, si “zagarë”, “kasnecë” dhe “lakenj”, krijuan përshtypjen e një udhëheqësi të lodhur dhe të pasigurt.
Koalicioni “Besëlidhje” doli i pafrymë dhe pa kohezion. Besimi i tepruar i Ahmetit ndaj Ziadin Selës dhe Arben Taravarit rezultoi në një llogari të gabuar politike. Atyre u falën shtatë komuna, ndonëse realisht nuk kishin më as strukturë e as vota. Baza e tyre tradicionale, dikur antibdi e përbetuar, prej kohësh u kishte kthyer shpinën.
Në terren, fushata u shoqërua me një PR të konsumuar, të dominuar nga emra që më shumë dëm i sollën se dobi, ndërsa kuadrot e vjetër heshtën në pritje të posteve.
Rezultatet e raundit të parë më 19 tetor, ku BDI humbi shumicën e komunave, si dhe pritjet për raundin e dytë më 2 nëntor, tregojnë fundin e një epoke politike që u shemb nën peshën e korrupsionit, arrogancës dhe lodhjes morale të lidershipit.





