Edhe një person që kishte funksion të rëndësishëm po largohet nga ASH e Taravarit. Sekretari Organizativ Gadaf Uzairi njoftoi se rruga e tij me Aleancën për Shqiptarët ka përfunduar. Largimin nga partia Uzairi e njoftoi përmes një statusi në facebook.
“Një falënderim i veçantë shkon për mikun dhe shokun tim, Arben Taravari. Edhe pse shpesh nuk kemi qenë dakord për vendime të caktuara, besimi dhe respekti reciprok nuk ka u luhatur kurrë. Rruga ime në Aleancë përfundon këtu, por shpirti dhe zemra ime do të mbeten gjithmonë pjesë e kësaj lëvizjeje”, tha Gadaf Uzairi – ish-sekretar organizativ në ASh.
Më herët nga ky subjekt u largua edhe sekretari i përgjithshëm Blerant Ramadani, i cili në njoftimin e tij informoi se në mbledhjen e fundit të kryesisë, kishte votuar kundër dorëheqjes kolektive.
Në qëndrimin e tij se pse po i ikin njerëzit, Taravari për TV21 tha:
“Gadafi ishte ne kuvend dhe aty kërkoi që të pauzojë një periudhe me aktivitet politike, por me zemër dhe shpirt vazhdon te mbete me ASH. Përndryshe përditshmërish na bashkëngjiten edhe plot kuadro dhe njerëz të rinj, të cilët duhet të jenë bartës të aktiviteteve të ardhshme të Aleancës për shqiptarët. ASH njihet si gjenerator i kuadrove të mira politike, kështu do të vazhdojmë edhe ne ardhmen”, theksoi Arben Taravari – kryetar i Ash.
Ndryshe të dielën me 15 janar e gjithë kryesia e ASH-së dorëzoi dorëheqje, me qellim që, siç tha Taravari, të fillojë riorganizimi i partisë dhe në kongres të ketë kryesi të re, duke i dhënë hapësirë gjeneratës së re.

