Qeveria njofton se në një seancë të mbajtur dje ka marrë vendim për anulimin e konkluzionit të qeverisë së mëparshme teknike, e cila shkakton implikime fiskale për realizimin e Projektit për ndërtimin e autostradës Korridori 8, Seksioni 2: Gostivar – Bukojçan në vlerë prej 252.699.474 euro shtesë, të cilat nuk janë të planifikuara dhe të parashikuara në Buxhet dhe as ekonomikisht të qëndrueshme.
Siç thonë nga Qeveria, për këtë konkluzion do të njoftohet edhe Prokuroria Themelore Publike.
“Ky konkluzion u miratua më 13 qershor të këtij viti, më shumë se një muaj pas zgjedhjeve dhe disa ditë para miratimit të Vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe mospërfitueshmërisë ekonomike nga zbatimi i saj”, thonë nga Qeveria.