Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shtyerjen e afatit për komunat të cilat nuk kanë arritur ta dorëzojnë të kompletuar dokumentacionin për financimin e projekteve infrastrukturore.

Siç merr vesh Lajm, Qeveria vendosi të shtyjë afatin deri më 15 nëntor 2024, me qëllim që komunat që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë pas thirrjes publike, të mund të plotësojnë dokumentet dhe t’i dorëzojnë ato në ministritë kompetente.

Ndër komunat të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për financimin e projekteve konform thirrjes së qeverisë është edhe qyteti i Shkupit si dhe komuna e Sarajit dhe ajo e Tearcës.

Kujtojmë se në seancën e 26-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mori vendim për rishpërndarjen e mjeteve në kuadër të projektit “100 milionë euro për komunat”. Me këtë vendim, Qeveria ka përcaktuar zyrtarisht se cilat projekte nga komunat janë të pranueshme dhe plotësojnë kriteret dhe shumën totale të mjeteve që do të marrë secila komunë individualisht.

Këto vendime kanë të bëjnë me financimin e projekteve në fushën e mjedisit, transportit, arsimit, sportit, kujdesit ndaj fëmijëve, për të cilat komunat nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’i realizuar dhe janë të një rëndësie thelbësore për qytetarët.