Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook për fillimin e një investimi prej 1.5 milionë eurosh në rrjetin e ujësjellësit në Strugë.
Qoku thekson se për katër mandate me radhë, Struga ka qenë e lënë pas dore, pa investime kapitale të denja, me projekte të dështuara dhe mungesë totale vizioni. Ai ka sjellë si shembull ndriçimin dekorativ të brigjeve të Drinit të Zi, i cili kushtoi 100 mijë euro dhe u shkatërra për vetëm një vit, duke e cilësuar atë një shembull klasik të keqmenaxhimit të fondeve publike. “Mjafton ta krahasosh Strugën me Ohrin për të ndjerë dallimin. Por ky realitet po ndryshon”, ka shkruar Qoku.
Ai thekson se rikonstruktimi i ujësjellësit është vetëm hapi i parë, ndërsa tashmë ka nisur edhe zgjerimi i rrugës kryesore drejt qendrës, ku po ndërtohet një bulevard modern. Sipas tij, në vazhdim pritet të ketë investime edhe në Nefrologji, Spitalin e Përgjithshëm dhe Shtëpinë e Shëndetit. “Këto nuk janë premtime, janë punë konkrete që kanë nisur tashmë. Struga do të ringrihet. Ditët më të mira kanë filluar sot!”, ka deklaruar Qoku.