Çmimet e larta të produkteve ushqimore bazë sa vijnë e rëndojnë jetën e qytetarëve. Madje kostoja e jetesës dikton edhe standardin jetësor të tyre dhe mirëqenien familjare. Ankohen se shpesh janë të detyruar që të kursejnë edhe për ushqime,, duke dëmtuar madje edhe shëndetin. Ata kanë shumë ankesa.

“Marketet dhe pazaret i kanë ngritur çmimet si po duan vetë. Duhet të intervenoj qeveria, e cila besoj se ka rezerva që mund ti ndaloj këto rritje dhe të ndihmoj popullin. Besoj se do të realizohet diçka por jemi shumë skeptik”, tha një qytetar.

“Sipas standardit tonë, janë shumë shtrenjtë. Po normalisht, blejmë vetëm gjërat elementare nuk kemi mundësi për luks”, u shpreh një qytetare.

“Çmimi mos vet, kur ka pare janë lirë, kur s’ka pare mos vet! Si po ja dilni? 11 mijë denarë pensioni po i harxhojmë për 10 ditë, e tani 10 ditë tjera marrim hua e 10 ditët e fundit flemë, s’kemi ku të shkojmë!”, u shpreh një qytetar.

“Jo vetëm shtrenjtë, por shumë shtrenjtë! Këto çmime nuk janë normale, sikur domatet, specat apo edhe sallatat, janë abnormale. Si ja bëni? Me vështirësi! Me pension të ulët 14 mijë denarë nuk ke çfarë të thuash. Atë të ardhura që keni për sa ditë i shpenzoni? Nuk arrijnë as deri më datë 20, e pastaj bukë e djathë”, shtoi një qytetar tjetër.

Paga minimale është 22,500 denarë, kurse paga mesatare mujore bruto e paguar për punonjës, në prill 2024, ishte 58.967 denarë. Paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuar në prill të këtij viti ishte 39.276 dhe krahasuar me prillin e vitit të kaluar është më e lartë për 16.5%, thuhet në raportin e Entit të Statistikave.

“Rritja e inflacionit në maj krahasuar me muajin prill është rezultat i rritjes së kostos së jetesës në grupet e mëposhtme: transport me 2.8%, komunikime me 1.6%, ushqime dhe pije joalkoolike, veshmbathje dhe këpucë me 0.9%., rekreacioni dhe kultura, restorantet dhe hotelet me 0,6%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme me 0,4% dhe shëndeti me 0,2%. Ndërkaq ulje e kostos së jetesës në muajin e fundit është vërejtur në mobilieri, amvisëri dhe mirëmbajtje shtëpiake me 0.5% dhe banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 0.2%”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Kjo rritje vjen mbi të gjitha nga rritja e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Administratë publike dhe mbrojtje; sigurimet shoqërore të detyrueshme 24.9%, shërbimet administrative dhe ndihmëse 22.5% dhe arti, argëtimi dhe rekreacioni 20.4%. Nga ana tjetër zvogëlim i pagës mesatare mujore neto për punonjës, krahasuar me muajin paraprak, është vërejtur në sektorët: Transport dhe magazinim 10.1%, Miniera dhe gurore 7.2% dhe Bujqësi, pylltari dhe peshkim 6.3%.” Nga ana tjetër në reagimin e sindikalistëve kërkojnë kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe rrugës, që sipas tyre përbën së paku 20% të pagës së punëtorëve në nivel vendi. Në 100 ditshin e parë të qeverisë së re do të kërkojnë rritje të pagës minimale në 450 euro, duke ndjekur trendin e vendeve të rajonit./Alsat.mk