Kryetarja e Forumit të Gruas të Lëvizjes BESA, Melinda Rashidi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen e qytetarëve në “rezidentë” dhe “jorezidentë” gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2021.
Në një deklaratë të publikuar sot, Rashidi e cilëson regjistrimin si një “operacion të organizuar politikisht për zvogëlimin e qëllimshëm të numrit të shqiptarëve” dhe akuzon drejtuesit e atëhershëm të Entit Shtetëror të Statistikave, në veçanti zëvendësdrejtorin Ilmi Selami, për bashkëpunim në këtë projekt të dëmshëm. “Në vend që të garantonte një regjistrim të ndershëm e gjithëpërfshirës, Ilmi Selami u përqendrua në eliminimin e zërave të pakontrolluar dhe anashkaloi plotësisht interesin kombëtar”, shkruan Rashidi, duke theksuar se mijëra shqiptarë nga diaspora u etiketuan si “jorezidentë” dhe u përjashtuan nga të drejtat që burojnë nga përfshirja në numrin total të popullsisë.
Ajo kritikon ashpër edhe kategorinë e shpikur “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”, duke e cilësuar si manovër antikushtetuese, e cila sipas saj shtoi mbi 132 mijë banorë fiktivë, kryesisht të etnitetit maqedonas, për të deformuar përqindjen reale të shqiptarëve. “Kjo ishte loja e BDI-së dhe LSDM-së për të minuar përfaqësimin e shqiptarëve në çdo sferë. Sot, kur gjithçka është bërë publike, janë të pakuptimta dhe të pasinqerta lotët e krokodilit të ish-zyrtarëve të BDI-së”, thuhet më tej në deklaratë.
Rashidi përmbyll qëndrimin e saj me mesazhin se VLEN do të jetë gjithmonë zë i së vërtetës dhe i çdo qytetari që është lënë jashtë përfaqësimit vetëm pse është shqiptar. “Nuk ka përfaqësim të drejtë pa numër real. Nuk ka barazi pa të vërtetën”, thekson ajo.