Me shqetësim është pritur nga opinioni publik dhe qarqet institucionale një tekst i publikuar së fundmi nga ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga, në të cilin ai sulmon personalisht dhe profesionalisht zëvendësministren aktuale të Mbrojtjes, znj. Elfete Ismaili. Ky sulm i ulët dhe i pavend përbën një shkelje të etikës minimale të komunikimit publik dhe synon të diskreditojë një figurë që gëzon besimin institucional dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Znj. Ismaili, në një reagim të shkurtër por të qartë, e ka quajtur këtë shkrim një dezinfomatë të nivelit të ulët, duke theksuar se të gjithë ata që njohin funksionimin institucional, e dinë mirë që çdo vendim merret në bazë të ligjit, rregulloreve dhe kritereve të përcaktuara qartë, e jo mbi baza emocionale, personale apo politike. Kjo është një e vërtetë që nuk mund të kontestohet nga askush që ka ushtruar detyrë publike me integritet.
Në vend të kritikës konstruktive, z. Jajaga zgjedh të përdorë një gjuhë fyese dhe ironi boshe për të vënë në shënjestër jo vetëm znj. Ismaili, por edhe vetë institucionin ku ka shërbyer. Ai mohon, me një arrogancë të paprecedent, çdo kontribut profesional, diplomatik apo institucional të një zyrtare që ka qenë pjesë e përfaqësimeve në forume të rëndësishme ndërkombëtare dhe që ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë si SHBA dhe BE.
Më shumë sesa kritikë, ky reagim është një shfaqje e frustrimit personal të autorit, që përpiqet të bëjë zhurmë përmes manipulimit dhe përçudnimit të fakteve. Nuk është hera e parë që tentohen sulme të tilla ndaj grave në pozita udhëheqëse, përmes diskreditimit personal dhe uljes së kontributeve të tyre, por është koha të thuhet me zë të lartë se profesionalizmi nuk matet me zili, dhe patriotizmi nuk shitet me demagogji.
Në fund, mbetet në ndërgjegjen e publikut dhe të institucioneve serioze të vlerësojnë se kush flet me përgjegjësi, transparencë dhe në përputhje me ligjin, dhe kush përdor opinionin publik për të larë hesape personale, duke përdorur fjalët e “popullit” si mburojë për ambicie të dështuara.
Institucionet nuk ndërtohen me shpifje, por me punë. Autoriteti nuk fitohet me ironi, por me dinjitet. Dhe mbi të gjitha, kontributi nuk vlerësohet nga zëri më i lartë, por nga puna më e sinqertë.