Ndalimi i hixhabit për sportistet franceze në Lojërat Olimpike të Parisit konsiderohet si “shqetësues”, “i padrejtë” dhe një “shkelje e të drejtave të njeriut” nga sportistë dhe organizata Human Rights Watch. Ligjet laike të Francës ua ndalojnë sportistëve përdorimin e shamisë islamike, ashtu siç i ndalojnë punonjësit e shtetit dhe nxënësit e shkollave të veshin simbole dhe veshje fetare në institucionet publike.
Ligji për ndalimin e përdorimit në shkolla dhe institucione publike të simboleve dhe veshjeve fetare vlen edhe për sportistët olimpikë të Francës, sepse ata janë në një “mision shërbimi publik”, thonë zyrtarët e qeverisë franceze.
“Kur atletët tanë përfaqësojnë ekipin e Francës, ata mishërojnë shërbimin publik. Ata mishërojnë parimin e neutralitetit të lidhur me shërbimin publik, kështu që ata nuk mund të përdorin simbole fetare apo politike. Kjo nuk vjen nga ne, nuk është vizioni ynë, nuk është dëshira e qeverisë, është realisht kuadri ligjor i përcaktuar nga kushtetuta jonë dhe parimi i vlerave kushtetuese”, tha ministrja franceze e sportit, Amelie Oudea-Castera.
Në ditët para fillimit të Lojërave Olimpike të Parisit, atletja franceze Sounkamba Sylla ishte në një betejë me qeverinë e saj për të drejtën për të veshur hixhabin në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.
Por pasi u gjet një kompromis, përdorimi i një kapeleje bejsbolli, vrapuesja 26-vjeçare mori pjesë në parakalimin e ekipit olimpik francez.
Ajo do të vrapojë në raundin e parë të stafetës 4×400 metra të premten. Komiteti Olimpik Francez ka thënë se ajo do të konkurrojë me kapele.
Sportistja franceze me origjinë algjeriane, Saoussen Boudiaf, e cila para Lojërave Olimpike të Parisit ka përfaqësuar Francën në sportin e skermës, thotë se në shoqërinë franceze mbulimi me hixhab është një veprim simbolik. Ajo tani përfaqëson Algjerinë.
“Ishte gjithashtu një lloj konfirmimi për të treguar se është e mundur dhe në asnjë mënyrë nuk është mungesë respekti për të tjerët. Është diçka që më prek mua dhe që për mua nuk ka asnjë ndikim tek të tjerët. Dhe gjithashtu pohon faktin që në një farë mënyre po mbroj atletët që nuk mund të konkurrojnë me hixhab për shkak të Francës”, thotë ajo.
Drejtorja e Nismave Globale në organizatën Human Rights Watch, Minky Worden thotë se ndalimi i hixhabit për sportistët është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
“Është gjithashtu një shkelje e të drejtës themelore të lirisë fetare. Atletët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin midis fesë së tyre dhe sportit që ata e duan dhe në të cilin shkëlqejnë. Kjo gjithashtu është një shkelje e të drejtave të grave, sepse këto janë gra që po diskriminohen dhe po përjashtohen nga sporti”, thotë ajo.
Përveç Lojërave Olimpike, federatat franceze të sporteve vendosin vetë për rregullat e tyre: futbolli, basketbolli dhe xhudo ndalojnë mbulimin e kokës për garat, ndërsa regbi, hendbolli dhe atletika e lejojnë këtë.
Lojërat Olimpike kanë sjellë në qendër të vëmendjes polemikat e shumta mbi rolin publik të fesë dhe simboleve fetare në Francë, vendi me komunitetin më të madh mysliman në Evropë.