Rreth 200 mijë qytetarë deri në fund të vitit duhet t’i ndërrojnë patentat e shoferit dhe t’i marrin me emrin e ri të shtetit

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se është e gatshme të prodhojnë deri në 12 mijë patenta në ditë dhe sipas ministrit Pançe Toshkovski të gjitha lejet mund të lëshohen për më pak se 20 ditë. Toshkovski u bën thirrje shoferëve të dorëzojnë kërkesat dhe ta fillojnë procesin.

“Diku rreth 200 mijë leje për vozitje i kemi si aktive në këtë moment e që janë me emrin e vjetër të shtetit dhe sipas legjislatives ligjore duhet të ndërrohen me emrin e ri të shtetit. Sot mundemi në bazë ditore të prodhojmë, nëse është e nevojshme në dy ndërrime, diku rreth 12 mijë leje për vozitje, kjo do të nënkuptonte se jemi të gatshëm që për më pak se 20 ditë, nëse qytetarët dorëzojnë kërkesë, t’i japim të gjitha lejet e vozitjes”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.