Nga muaji shtator, secili i punësuar në Kosovë duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ligji që përcakton pagën minimale neto prej 250 eurosh parasheh edhe ndryshime në shkallët tatimore.

Deri tash, pagat tatoheshin sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa ato sekondare me mbi 10 për qind. Pos kontributit pensional, pesë për qind nga i punësuari dhe pesë nga punëdhënësi, secili punëtor kontribuon me tatim mbi pagë në shtet.

Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe pagat rrjedhimisht do të rriten.

ATK-ja ka thënë se versionin e ri do ta publikojë në sistemin elektronik para ose deri më 1 shtator.