Ka nisur zyrtarisht punën grupi i punës për riemërtimin e rrugëve në qytetin e Tetovës, me qëllim përmbylljen sa më të shpejtë të procesit dhe përshtatjen e emërtimeve me identitetin dhe realitetin lokal.
Kryetari i grupit, Albi Qamili, bëri të ditur se në ditën e parë të angazhimit ka pranuar dokumentacionin dhe materialet nga grupi paraprak, duke u njohur me punën dhe propozimet e trajtuara deri më tani.
Sipas tij, puna do të vazhdojë mbi bazën e analizës së deritanishme, duke përfshirë edhe sugjerimet dhe kërkesat e paraqitura nga qytetarët.
“Emrat e rrugëve në Tetovë duhet të reflektojnë identitetin dhe realitetin e Qytetit. Si kryetar i këtij grupi, pranova dokumentacionin dhe materialet nga grupi paraprak dhe u njoftova me punën e tyre”, ka njoftuar Qamili.
Procesi i riemërtimit po zhvillohet në kuadër të angazhimeve të Komuna e Tetovës për rregullimin dhe standardizimin e toponimisë urbane, ndërsa pritet që në fazat e ardhshme të publikohen edhe propozimet konkrete për shqyrtim publik.

