Shkruan Bashkim Rodoni
E pashë me vëmendje atë kontrast që sot qarkullon kaq shpesh: një fjalim i Albin Kurtit, i ngarkuar emocionalisht, i ashpër në ton, sepse përballë ka një opozitë që ai e sheh të gatshme të sakrifikojë interesin publik vetëm për ta rrëzuar; dhe nga ana tjetër Ibrahim Rugova, që pas një fitoreje flet me qetësi, me finesë, pa sulme, pa përjashtime. Në pamje të parë, diferenca duket e qartë dhe madje morale: njëri i qetë, tjetri impulsiv.
Por këtu mendoj se lind një keqkuptim i thellë mbi çfarë është politika dhe si funksionon ajo në kohë të ndryshme historike.
Politika nuk matet nga tonaliteti i zërit, as nga mungesa apo prania e emocionit. Ajo nuk është estetikë sjelljeje, por përgjigje ndaj një tensioni real. Rugova dhe Kurti nuk janë dy modele morale të krahasueshme në vakum; janë produkte të dy fazave të ndryshme të së njëjtës përpjekje historike.
Qetësia e Rugovës nuk ishte thjesht virtyt personal. Ishte strategji ekzistence. Ajo qetësi mbajti gjallë një popull, një kauzë dhe një legjitimitet në një moment kur çdo shpërthim emocional do të ishte vetëvrasës. Por po aq e vërtetë është se ajo qetësi lejoi që tensioni i padrejtësisë të mos zhdukej, por të grumbullohej.
Albini nuk del nga asgjëja. Ai vjen nga demonstratat, burgjet, torturat – nga ajo hapësirë ku mendimi nuk kishte më luksin të ishte i qetë. Impulsiviteti i tij nuk është stil retorik; është rezultat i një bindjeje të shtyrë përtej durimit, derisa mendimi u detyrua të bëhej zë, e zëri rezistencë, e rezistenca lëvizje politike.
Të krahasosh fjalimet e tyre pa këtë kontekst do të thotë të krahasosh një mjekim parandalues me një ndërhyrje kirurgjikale dhe të thuash se dallimi është vetëm butësia e dorës. Në fakt, dallimi është sëmundja që po trajtohet.
Rugova foli qetë sepse po ndërtonte mbijetesën dhe legjitimitetin. Kurti flet ashpër sepse po përpiqet ta shndërrojë rezistencën në shtet, në një mjedis ku kompromisi shpesh nuk është dialog, por kapitullim.
Prandaj nuk mendoj se politika bën diferencë mes qetësisë dhe impulsivitetit. Politika bën diferencë mes bindjes që ruhet për të mos u shuar dhe bindjes që shtyhet për të mos u tradhtuar. Njëra flet me finesë, tjetra me tension. Por të dyja burojnë nga e njëjta nevojë: që mendimi të mos mbetet i heshtur dhe historia të mos ndalet.




