Stërvitjet ushtarake të NATO-s, që kanë nisur katër muaj më parë pranë kufirit me Rusinë – të njohura si Steadfast Defender – janë dëshmi se aleanca ushtarake perëndimore po përgatitet për një konflikt të mundshëm me Rusinë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse më 4 maj.
Zëdhënësja Maria Zakharova, hodhi poshtë akuzat e bëra nga NATO-ja gjatë kësaj jave se Rusia është përfshirë në sulme hibride ndaj shteteve anëtare të aleancës, duke thënë se kjo ishte një “dezinformatë” që synon të shpërqendrojë njerëzit nga aktivitetet e aleancës ushtarake perëndimore.
Përmes një deklarate, Zakharova tha se është NATO-ja që është angazhuar në një luftë hibride kundër Rusisë përmes mbështetjes që i jep Ukrainës duke i ofruar armë, inteligjencë dhe para.
“Aktualisht, stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë, Steadfast Defender, po mbahen afër kufijve të Rusisë.
Sipas skenarit të tyre, veprimet e koalicionit kundër Rusisë po praktikohen duke përdorur të gjitha instrumentet, përfshirë edhe armët hibride dhe ato konvencionale”, tha ajo.
“Ne duhet ta pranojmë se NATO-ja seriozisht po përgatitet ‘për një konflikt të mundshëm’ me ne”, shtoi Zakharova.
Raportet mes Rusisë dhe Perëndimit janë në pikën më të ulët në dekada pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.
Kur njoftoi për nisjen e stërvitjeve në janar, NATO tha se 90.000 trupa do të marrin pjesë në to.
Gjatë stërvitjeve, sipas NATO-s, do të praktikohet se si trupat amerikane mund të përforcojnë aleatët evropianë në shtetet që janë në kufi me Rusinë dhe ato në krahun lindor të aleancës nëse do të ndodhte një konflikt.
Stërvitjet do të zgjasin edhe përgjatë majit./REL