Një tjetër premtim po bëhet realitet. Qeveria VLEN ka miratuar projektin për rikonstruksionin e sallës sportive në fshatin Zherovjan, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë harrese për këtë objekt me rëndësi për sportin dhe komunitetin lokal.
Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, theksoi se ky investim është dëshmi konkrete e përkushtimit të Qeverisë VLEN për të investuar në fshatra dhe në të rinjtë, aty ku për vite me radhë nuk është bërë asgjë.
“Me rikthimin e sportit, po rikthejmë edhe shpresën, energjinë dhe krenarinë në Zherovjan. Dhe ky është vetëm fillimi,” deklaroi Sabriu.
Salla sportive do të transformohet në një hapësirë moderne dhe funksionale, e përshtatshme për aktivitete të shumta sportive, në veçanti për Klubin e Volejbollit “Liria”, një ndër simbolet e sportit lokal që prej vitesh kontribuon në zhvillimin e të rinjve në zonë.
Ky rikonstruksion nuk është thjesht një projekt infrastrukturor – ai përfaqëson një vizion më të gjerë për krijimin e mundësive të barabarta në çdo cep të vendit, duke e bërë sportin dhe jetën aktive të qasshme për të gjithë.