Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik Kumanovë reagoi ndaj kryetarit të Komunës së Likovës për analizat e ujit në Llojan
Pas deklaratës publike të kryetarit të Komunës së Likovës lidhur me analizat e ujit të pijshëm në fshatin Llojan, ka reaguar Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, Herolind Sakipi.
Përmes një postimi në Facebook, Sakipi ka sqaruar se analizat janë kryer në një laborator të akredituar dhe jo, siç është pretenduar, nga ndonjë “laborator i ndonjë partie politike”.
“Analizat janë bërë mbi bazën e kërkesës së banorëve dhe rezultatet e tyre treguan qartë praninë e Arsenit në sasi shumëfish më të lartë se kufiri i lejuar, çka paraqet rrezik të madh për shëndetin publik”, ka theksuar Sakipi.
Ai gjithashtu nënvizoi se të gjitha institucionet kompetente, përfshirë edhe Komunën e Likovës, janë njoftuar menjëherë pas përfundimit të analizave.
“Puna ime si drejtor dhe puna e mjekëve në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë udhëhiqet vetëm nga ligji, rregullat dhe protokollet shëndetësore me përgjegjësi ndaj qytetarëve, dhe jo nga politika ditore”, shkroi më tej Sakipi.
Ai theksoi se besueshmëria e analizave është e garantuar me akreditim dhe mund të verifikohet nga çdo institucion i pavarur. Drejtori përmbylli reagimin e tij duke kërkuar që të gjitha institucionet, përfshirë komunën, të marrin masa konkrete për mbrojtjen e banorëve, duke u mbështetur në fakte dhe jo në supozime politike apo kadrovike.