Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlie Saliu, ka njoftuar se është miratuar amendamenti i propozuar prej saj në Komisionin për Financa dhe Buxhet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i cili parasheh ndarjen e 50 milionë denarëve shtesë për kompensime dhe shtesa të veçanta për personat me aftësi të kufizuara në buxhetin e vitit 2025.
Sipas Saliut, ky amendament do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për mbi 10,800 qytetarë, përfshirë ata me aftësi të kufizuara intelektuale, trupore, si dhe me dëmtime të plota të shikimit dhe dëgjimit. “Me miratimin e këtij amendamenti, kompensimet do të rriten nga 10 deri në 15%, duke u përshtatur me rritjen e kostos së jetesës. Kjo është një dëshmi konkrete e përkushtimit tonë ndaj qytetarëve në nevojë”, deklaroi Saliu.
Ajo shtoi se përfshirja sociale, dinjiteti dhe barazia janë prioritete të padiskutueshme për VLEN, dhe se personat me aftësi të kufizuara nuk do të mbeten të harruar nga institucionet.