Profesori universitar, Ali Pajaziti, ka ngritur alarmin për gjendjen e rrugëve në Komunën e Sarajit, duke kërkuar nga kandidatët për kryetar komune që kryeagjenda e tyre të jetë ndërtimi i bulevardit me katër korsi.
Në një postim në rrjetet sociale, Pajaziti theksoi se mungesa e këtij projekti ka sjellë kaos të përditshëm dhe rrezik për aksidente, ndërsa mosrealizimi i tij do të ishte “mëkat politik që nuk do ta falin brezat”.
“Bulevardi nuk është utopi, duhet vetëm vullnet dhe kooperim me institucionet dhe qytetarët. Kaosi është evident dhe kjo do të kulmojë pas disa vitesh kur do të bllokohet i tërë vendbanimi”, shkroi Pajaziti, duke apeluar që ky projekt të vihet në krye të prioriteteve.
Për këtë reagim është përgjigjur edhe kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Sarajit, Muhamed Elmazi, i cili u zotua për zgjidhje të menjëhershme.
“E ndaj plotësisht shqetësimin e profesor Pajazitit. Bulevardi do të jetë prioriteti im i parë si kryetar i ardhshëm i Sarajit. Ky projekt nuk pret më, është i domosdoshëm për jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, theksoi Elmazi.Sipas tij, realizimi i këtij projekti do të sjellë mjedis më të jetueshëm dhe do t’i japë fund kaosit në komunikacion, duke hapur rrugë për zhvillim më të qëndrueshëm të Sarajit.