Lëvizja Demokratike pjesë e koalicionit VLEN ka themeluar mbrëmë Forumin e Gruas, ku në krye të këtij forumi është zgjedhur deputetja Saranda Imeri Stafai.
Punën e kuvendit zgjedhor të Forumit të Gruas të Lëvizjes Demokratike e ndoqën përfaqësueset nga Aleanca për Shqiptarët, Sekretarja Teknike – Organizative e Asamblesë së Gruas, Arbenita Meta, dhe Nënkryetarja e Asamblesë së Gruas, Naime Islami Zeqiri.
Sekretarja Teknike – Organizative e Asamblesë së Gruas të ASH-së, Arbenita Meta përmes një postimi në profilin e saj në facebook ka shpreh urimet më të mira për kryetaren e sapozgjedhur të Lëvizjes Demokratike,Saranda Imeri Stafai, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese të mëtejshme në detyrën e re.
Postimi i plotë:
“Në cilësinë e Sekretares Teknike – Organizative të Asamblesë së Gruas të Aleancës për Shqiptarët, së bashku me Nënkryetaren e Asamblesë së Gruas, znj. Naime Islami Zeqiri, patëm nderin dhe kënaqësinë të ishim mysafire në Kuvendin zgjedhor të Forumit të Gruas të Lëvizjes Demokratike, ku ndoqëm nga afër procesin zgjedhor dhe punën e këtij kuvendi në zgjedhjen e kryetares dhe kryesisë.
Kryetares së sapozgjedhur të Lëvizjes Demokratike, znj. Saranda Imeri Stafai, i urojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme në detyrën e re.
Partitë politike të Koalicionit VLEN kanë bërë përpjekje të vazhdueshme dhe angazhim të jashtëzakonshëm për të mbështetur dhe promovuar gratë në politikë, duke na dhënë mundësi për pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse si në funksione brenda partive politike po ashtu edhe në funksione udhëheqëse të rëndësishme në Qeveri, Kuvend e në institucione tjera në vend duke kontribuar në forcimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë” ka nënvizuar Meta.