Janë përmbledhur të gjitha provat që rëndojnë mbi grupin kriminal të drejtuar nga Rade Trajkovski, i njohur si Shtekli, i cili sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përbëhej nga 17 anëtarë. Të gjithë janë në ndjekje penale për trafikim të kokainës dhe marihuanës, të cilat ishin fshehur edhe në bunkerë nëntokësorë të ndërtuar në tokë shtetërore.
MARKETING
Deri më tani, shtatë anëtarë të grupit kanë pranuar fajësinë dhe kanë lidhur marrëveshje me Prokurorinë, duke u dënuar me nga 3 deri në 4 vjet burg secili – nga një maksimum prej pesë vitesh që mund t’u ishte shqiptuar. Kryesisht, ata që pranuan fajësinë ishin rishitës të kapur me sasi të vogla droge. Por, përpara se droga të vihej në qarkullim, kishte kërcënime nga disa drejtime. Prokuroria zbuloi se droga tregtohej në internet, por edhe në disa restorante, përfshirë lokacione në lagjen Aerodrom.
“Ishin frikësuar edhe operatorët e ekskavatorëve të komunës që duhej të hapnin terrenin”, deklaroi Prokuroria për Krimin e Organizuar.
Shtekli u arrestua kur u mësua se po përgatitej të arratisej. Shtëpia e tij u bastis, por sipas Prokurorisë, ai kishte larguar paraprakisht çdo provë të veprimtarisë kriminale. Megjithatë, video-mbikëqyrja e kishte ekspozuar. “Në shtëpi u gjetën vetëm mbetje, por pamjet filmike treguan sesi ai i fshihte kubet me drogë – dy u gjetën më vonë në apartament dhe tre të tjera në një pajisje të posaçme në bunker”, sqaroi Prokuroria.
Disa nga anëtarët e grupit zgjedhin të heshtin, të tjerë mohojnë përfshirjen, ndërsa disa kanë lidhur marrëveshje me Prokurorinë. Edhe Shtekli kishte marrë një ofertë për marrëveshje pranimi të fajësisë, por e refuzoi për shkak të dënimit të parashikuar. Pas konfirmimit të aktakuzës, ai do të gjykohet në Gjykatën Penale.
Rade Trajkovski – Shtekli u arrestua më 18 janar. Ai u bë i njohur në opinion pasi brenda një kohe të shkurtër u bë shënjestër e disa atentateve. Incidenti i fundit ndodhi më 14 nëntor 2024, kur një mjet shpërthyes u hodh në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Qeramidnica. Ai u plagos dhe u dërgua për trajtim në spitalin “Shën Naumi i Ohrit”.
Një tjetër atentat ndodhi në tetor të vitit 2023 në qendrën tregtare “East Gate”, i dyti brenda dy muajsh. Më 25 gusht 2023, po ashtu në garazhet e East Gate Mall, persona të maskuar qëlluan me armë ndaj tij nga një automjet “Audi” me targa të huaja. Plumbat nuk e plagosën, ndërsa atentatorët u larguan nga vendi i ngjarjes; automjeti u gjet më pas i djegur pranë liqenit të Treskës, në drejtim të Gërçecit.
Të gjitha këto incidente konsiderohen pjesë e përplasjeve dhe vrasjeve mes grupeve kriminale në Shkup.