Mungesa e ujit të pijshëm mblodhi banorët e fshatit Pallçisht i Poshtëm për të shprehur revoltën e tyre kundër kryetarit të komunës së Bogovinës , Besnik Emshiu.
Në shekullin e 21-të, kur uji i pijshëm duhet të jetë një e drejtë bazë për çdo qytetar, banorët e Pallçishtit të Poshtëm ende po përballen me mungesën e këtij elementi jetik. Pavarësisht premtimeve të shumta dhe projekteve të paralajmëruara, situata mbetet e pandryshuar, duke bërë që banorët të dalin në protesta për të kërkuar atë që u takon me ligj.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës Emshiu, banorët e shprehen qartë dhe hapur zhgënjimin e tyre ndaj mënyrës së menaxhimit të kësaj problematike. Ky problem është kthyer në një burim të vazhdueshëm ankthi dhe pasigurie për ta. Pavarësisht premtimeve të dhëna gjatë fushatave zgjedhore, ku u deklarua se furnizimi me ujë të pijshëm për Pallçishtin e Poshtëm do të zgjidhet, realiteti është se qytetarët ende nuk kanë parë asnjë përmirësim të dukshëm.
Kryetari i Bashkësisë Lokale, Vullnet Akiki, ngriti zërin për neglizhencën e vazhdueshme të autoriteteve lokale, duke theksuar se më shumë interes ka për të hetuar se kush organizon këto protesta sesa për të zgjidhur problemin e ujit. Kjo qasje, sipas tij, është një dëshmi e qartë e dështimit të kësaj udhëheqësie për të përmbushur detyrat e veta themelore.
Banorët e Pallçishtit të Poshtëm vazhdojnë të kërkojnë me ngulm zgjidhje, duke shprehur frikën se do të mbeten pa ujë të pijshëm edhe për shumë kohë.