Halil Snopçe, kandidat për deputet nga radhët e VLEN ka deklaruar në intervistë për portalin Nistori që Fronti Evropian po garon në zgjedhjet aktuale me gardën e vjetër të Gruevskit. Ai dallimin në mes VLEN dhe Frontit Evropian e bën në atë që VLEN promovon vlera pro evropiane, derisa Fronti Evropian përkrahës ka njerëz të cilët përveç akuzave ndaj njëri tjetrit, janë të akuzuar për korrupsion dhe gjenden në listat e zeza Amerikane.
“Ato flasin për Frontin Europian, por në zgjedhje shkojnë me gardën e vjetër të Gruevskit. Ndërsa ne themi se regjimi i Gruevskit ishte më i korruptuari dhe më i kriminalizuari, ata kandidojnë me deputet, dihet BDI-ja. Asnjëri prej ministrave, zv.ministrave të BDI-së nuk është kandidat për deputet. As koordinatori i grupit parlamentar nuk është kandidat për deputet. Nëse paskan qenë të suksesshëm ata në qeverisjen e kaluar dikush duhej të ishte kandidat për deputet. Por ato kërkojnë vota me gardën e vjetër të Gruevskit, të cilët kanë qenë bashkëfajtor për këtë kriminalitet dhe korrupsion të madh. Ne dalim me fytyra të reja, pa bagazh negativ, fytyra të shantazhuara, nuk mund ta shantazhosh njeriun e pastër. Mendojmë që jemi forma më e mirë për të luftuar kundër këtij korrupsioni, të cilin ambasadorja e Amerikës e quajti pandemi të korrupsionit. Kemi shembuj me qindra. Ata thonë Fronti Europian, ndërsa u japin pasaporta oligarkëve rus në listën e zezë të Amerikës, asnjë akuzë nuk kanë bërë për sulmin terrorist në Banjskë në Kosovë nga ana e Serbisë, realizuar nga Vuçiq, ekzekutuar nga Radojiçiq. Thonë Fronti Europian janë përkrahës të Open Ballkanit, të cilin e udhëheq Serbia, këtë e ka thënë edhe Lavrovi. Çfarë ka të bëjë me Frontin Europian këto gjestikulime. Frymën europiane mund ta ruajë vetëm VLEN, pasi kandidatët janë të tillë, nuk mundet me gardën e vjetër të Gruevskit të promovosh pro-europianizëm, nuk mundet të bashkosh Menduh Thaçin, Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin e të promovosh pro-europianizëm, çka mos kanë thënë për njëri-tjetrin dhe sot për interesa tjera luajnë në kartën e pro-europinizmit, dikund ka efekt, por mendoj që më 8 maj populli do të vetëdijesohet. Nuk mundet që deri dje të thoni hajn, kriminelë dhe të kërkosh votën bashkë me BDI-në. Edhe Menduh Thaçi ka thënë gjithçka për Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin dhe tani kërkojnë vota për pro-europianizëm. Bashkë e sollën ligjin për Kodin Penal për të shpëtuar kriminelët dhe tani kërkojnë vota për pro-europianizëm. Këtu dallojmë – mendoj se pro-europianistët e vërtetë jemi ne, por populli vendos. Ne mundohemi t’i përmendim këto fakte dhe fenomene dhe të bindim popullin.” – marrë nga intervista e Halil Snopçes për portalin Nistori.