Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një njoftimi zyrtar ka ftuar të gjitha strukturat e partisë dhe funksionarët në mbledhjen e përbashkët të Frontit Europian, që do të mbahet sot në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
“Të nderuar, Anëtarë të Këshillit të përgjithshëm dhe Anëtarët e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, Anëtarë të Këshillit Kombëtar të BDI-së, Udhëheqës dhe Anëtarë të Sekretariateve të BDI-së, Kryetarë të Degëvë të BDI-së, Kryetarë të Komunave dhe Këshilltarë Komunalë, nga rradhët e BDI-së, Deputetë, Ministra, Zëvendës Ministra dhe Sekretarë Shtetërorë, nga rradhët e BDI-së, Drejtorë, Zëvendës Drejtorë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, nga rradhët e BDI-së Ftoheni sot, e diel (2 qershor 2024), me fillim në ora 13:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, në mbledhjen e përbashkët të organeve partiake dhe përfaqësuese të Frontit Europian”, thonë nga BDI.
Gjatë një prononcimi për Klan Maqedoni, Ministri Kreshnik Bekteshi, bëri të ditur se BDI-ja nuk shqyrton opsione që nënkuptojnë sjellje destruktive, por kryesisht metoda demokratike të veprimit të menjëhershëm, në kuptimin se si do të veprojnë deputetët e Frontit në Kuvend, por edhe Kryetarët e Komunave, këshilltarët dhe funksionarët tjerë.
Sipas Bekteshit, hapi i parë nis sot në Tetovë.
“BDI, të dielën, ka paraparë një takim në Pallatin e Kulturës në Tetovë, së bashku me të gjitha partitë politike që përbëjnë Frontin Evropian, ku do të nënshkruhet një marrëveshje nga të gjithë anëtarët e Kryesive nga të gjithë Kuvendarët e partive politike, funksionarët e partive të nivelit lokal dhe qendror dhe hapi i parë do të jetë alarmimi dhe elaborimi i legjitimitetin i cili buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, tha Kreshnik Bekteshi.
Fronti Evropian ka në plan të senzibilizojë edhe faktorin ndërkombëtar, sic thonë, për legjitimitetin e cënuar nga ana e partnerëve të ardhshëm të qeverisë.
Nuk përjashtohet mundësia që të përgatitet një Memorandum, që do të mbështetet nga funksionarët e Frontit por edhe intelektualët, ku do të njoftohet bashkësia ndërkombëtare se me hyrjen e koalicionit VLEN në Qeveri, cënohet legjitimiteti i Shqiptarëve dhe bashkësive më të vogla etnike./tvklan.mk