Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot vazhdon seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re me mandatar për kryeministër Hristijan Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së.
Pas përfundimit të debatit dhe fjalimeve të deputetëve, deri vonë në mesnatë pritet të votohet Qeveria e re, për të cilën duhet 61 nga 120 vende deputetësh në Kuvendin e RVM-së, përcjell INA.
Por, koalicioni i formuar qeveritar numëron 78 deputetë dhe përbëhet nga 58 deputetë të VMRO-DPMNE-së, 14 nga koalicioni VLEN dhe 6 deputetë nga partia ZNAM.
Programi i punës së Qeverisë 2024-2028, i dorëzuar në Kuvend nga mandatari Hristijan Mickoski, është paraqitur në gjashtë shtylla në mbi 60 faqe. Synimi kryesor, siç u tha, është rikthimi i besimit në institucionet e qeverisjes shtetërore, eliminimi i korrupsionit dhe garantimi i shtetit ligjor, si dhe rigjallërimi ekonomik me synimin për të krijuar vende pune produktive dhe të mirëpaguara, etj.
Mickoski paralajmëroi ulje të taksave dhe rritje të pensioneve, qeveri të zhvillimit ekonomik, rritje prej pesë për qind të Bruto Prodhimit Vendor dhe inflacion vjetor prej 2-2,5 për qind. Nga foltorja e Kuvendit Mickoski premtoi ulje të papunësisë në 7% dhe rritje të pagave.
Mandatari Mickoski po ashtu paralajmëroi që nga dita e martë më 25 qershor një investim prej 400 milionë eurove.
Ai paralajmëroi projekte edhe në fusha të tjera si përfundimin e decentralizimit, fondi special për shkenca të avancuara, renovimi i shkollave dhe rritja e pagave, si dhe investime në shëndetësi dhe spitale të reja. Në ekspozitë ai përmendi edhe mbrojtjen më të madhe të trashëgimisë kulturore, promovimin e një stili jetese të shëndetshëm përmes Ministrisë së Sportit.
Opozita në fjalimet e saj theksoi se Qeveria ka një program manipulativ dhe se Mickoski po flet ndryshe nga ajo që premtoi gjatë fushatës. Nga Fronti Evropian drejtuan akuza ndaj koalicionit shqiptar në Qeveri, duke pretenduar se ata janë përfaqësues të shumicës së votuesit shqiptar në vend.