Garë e zjarrtë në Superligën e Maqedonisë së Veriut, kur ndeshjet e zhvilluara pasditën e sotme në kuadër të xhiros së 30-të u mbyllën me plotë surpriza.
Dy pretendentët për titullin e kampionit, Struga dhe Shkupi pësuan humbje, teksa Shkëndija fiton me përmbysje në Tetovë dhe merr kreun e renditjes tabelare.
Në Kavadar, kampionët në fuqi u mposhtën nga Tikveshi me shifrat 3:2. Struga gjeti dy golat me Ibraimin, teksa vendasit realizuan me Mojsovin, Stojkoskin dhe Silvën. Në anën tjetër, Shkupi gjithashtu u mposht nga Gostivari me dy golat e Kirovskit dhe Kehindes.
Të gjithë këtë situatë e shfrytëzojë Shkëndija që në Tetovë mposhti me përmbysje Brerën e Strumicës me rezultat 3:2. Tetovarët ishin duke humbur deri në minutën e 77-të, pasi mysafirët nga Strumica kishin realizuar me Ivkovic dhe Cvetanovski, ndërsa në minutat e mbetura skuadra e Jeton Beqirit përmbysi gjithçka me Ademin, Caken dhe Aganspahiqin, duke marrë fitore dramatike.
Fitore mori edhe skuadra tjetër shqiptare, Voska Sport që në kryeqytet mundi Makedonija Gjorçe Petrovin me dy golat e Ilieskit dhe Marusicit.
Në dy takimet tjera, Vardari mundi 0:3 Bregallnicën, teksa Sileksi u mposht nga Rabotniçki me shifrat minimale 0:1. Ndeshjet e radhës në Superligën e Maqedonisë së Veriut pritet të luhen me 4 maj. /Telegrafi/