Pasi bodrumi i kirurgjisë dhe i urgjencës në Spitalin e Tetovës u vërshuan para pak ditëve, ministri i ri i shëndetësisë, Arben Taravari sot nga Tetova premtoi se në të ardhmen do të zgjidhin këtë problem.
Taravari theksoi se si opsion kanë dy mënyra për të parandaluar dëmet dhe vërshimet në të ardhmen.
“Besojmë dhe urojmë të mos ketë dëmtim të aparaturës, por duhet të mendojmë si ta parandalojmë që në të ardhmen mos të ndodhin këto. Kemi disa opsione, një t’i lëvizim aparatet në katin e parë të qendrës urgjente. Mënyra e dytë, të bëhet pengesë që mos të mund të depërtojë uji, izolim pak në pjesën në të cilën depërton uji”, tha Taravari.
Ai mes tjerash theksoi se si Ministri e Shëndetësisë në këtë mandat një nga prioritetet do të jetë Spitali i Tetovës dhe investimet në të, jo vetëm në aparaturë por edhe në resurse njerëzore.
Ai premtoi gjithashtu se problemi me ashensorët do të zgjidhet brenda disa muajve.
Gjithashtu au theksoi se do të ndryshojë drejtorin e Spitalit të Tetovës, por tha se nuk kanë përzgjedhur ende kë.
Si pasojë e reshjeve të 23 qershorit, bodrumi i kirurgjisë në Spitalin e Tetovës u vërshua nga reshjet, ku aty hyri ujë, baltë dhe kundërmonte erë e keqe, kështu mbeti jashtë funksionit. Gjithashtu u vërshua edhe bodrumi ku ndodhet reparti i radiologjisë.
Reshjet e shiut të së dielës shkaktuan dëme të mëdha në Tetovë dhe rrethinë, si rrugë të bllokuara, bodrume të përmbytura, vetura me xhama të thyer, pemë të shkatërruara, dëme të mëdha në bujqësi dhe shumë të tjera.
Komuna e Tetovës ka formuar komision ku qytetarët mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet. Ata duhet të marrin një kërkesë dhe ta dorëzojnë të plotësuar në arkivin e komunës. Qytetari duhet të paraqesë: fletëpronësinë/prova e pronësisë, fotografi të ndërtesës së dëmtuar, kopje e kartës së identitetit dhe kopje e llogarisë së transaksionit.