I ftuar në Daily Click Në TV21, zv.kryeministri Arben Fetai tha se i ka ndjekur reagimet e Levicës që siç thotë, e kanë quajtur spiun i Albin Kurtit e pastaj kanë folur për shtetësinë e tij, ndërsa për deklarimin e pasurisë, Fetai tha se ka qenë transparent ndërkohë që bëri thirrje që e njëjta të bëhet edhe nga pushteti i kaluar.
“I kam ndjekur reagimet e Levicës të cilët vazhdimisht prej që kam marrë detyrën, janë marrë me mua nga këndë të ndryshme, fillimisht spiun i Albin Kurtit pastaj nuk ka shtetësi ndërsa për këtë çështjen e deklarimit të pasurisë gjendja është ajo që e kam deklaruar siç mund ta keni parë nga CV ime unë kam diku 20 vite me organizata ndërkombëtare, sistemin e OKB-së, BE-së, gruaja po ashtu punon në sistemin e OKB-së dhe kemi punuar shumë për ta ndërtuar këtë kapital që kemi si në Belgjikë ashtu edhe këtu edhe në Kosovë. Unë nuk kam asgjë për të fshehur. Pasuria që e kam deklaruar është gjendja reale dhe është ajo deri në ditën kur jam votuar si zv.kryeministër i Qeverisë. Pasurinë e kam ndërtuar para se të filloj karrierën politikë, nuk kam marrë asnjë cent nga sektori publik. Kam qenë transparent, do të kisha thënë se ky shembull duhet ndjekur nga të gjithë e veçanërisht nga pushteti që sapo është larguar”, tha Fetai në Daily Click.