Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, përmes një postimi në Facebook ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, se po shpërndan të pavërteta lidhur me një marrëveshje të supozuar me kryeministrin Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas Stojanoskës, Ahmeti nuk e thotë të vërtetën për takimin që është mbajtur në zyrën e saj, ku, siç pretendon ajo, lideri i BDI-së ka ofruar hyrjen në Qeveri pa kërkesë për postin e kryetarit të Parlamentit dhe me pranimin e një ministrie më pak krahasuar me kërkesat e koalicionit VLEN, vetëm për të qenë pjesë e pushtetit aktual.
“Ne mbetëm konsekuentë ndaj mesazhit të qytetarëve se BDI duhet të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Stojanoska, duke shtuar se Ahmeti, para se të dalë me pretendime të tilla publike, duhet të jetë i gatshëm edhe për ballafaqimin me të vërtetën nga pala tjetër.

