Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, z. Mustafë Dauti, priti sot në një takim pune zëvendësministrin për Punë të Brendshme, z. Astrit Iseni. Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, me theks të veçantë në çështjet e sigurisë kufitare dhe luftës kundër veprimtarive të paligjshme.
Në fokus të bisedës ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Doganave dhe MPB-së në funksion të rritjes së efikasitetit në parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të paligjshëm, si dhe përmirësimi i shkëmbimit të informatave dhe të dhënave në kohë reale ndërmjet dy institucioneve.
Zëvendësdrejtori Dauti theksoi rëndësinë e një koordinimi të vazhdueshëm operativ në terren dhe vlerësoi lart qasjen konstruktive të zëvendësministrit Iseni. Ai nënvizoi se mbështetja institucionale dhe dialogu profesional janë kyçe për forcimin e sigurisë kombëtare dhe sundimin e ligjit.
Nga ana e tij, zëvendësministri Iseni shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit me Drejtorinë e Doganave, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të partneritetit të qëndrueshëm përballë sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë.