Zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu zhvilluan një sërë takimesh pune në njësinë zgjedhore numër 5, duke përfshirë komunat Dollnen, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Qëllimi i vizitave ishte forcimi i komunikimit me strukturat lokale të partisë dhe koordinimi për zbatimin e prioriteteve zhvillimore në nivel lokal.
Gjatë takimeve u diskutuan çështje që lidhen me zhvillimin bujqësor, përmirësimin e infrastrukturës, arsimin, shëndetësinë si dhe pjesëmarrjen aktive të Aleancës për Shqiptarët në qeverisjen qendrore dhe lokale.
Përfaqësuesit e partisë theksuan rëndësinë e konsolidimit të strukturave organizative në këtë zonë zgjedhore dhe riafirmuan përkushtimin për të çuar përpara proceset politike në kuadër të koalicionit qeverisës dhe agjendës së reformave.