Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev dhe presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, sipas paralajmërimeve, do të realizojnë takim në orën 14:30 sipas kohës bullgare. Takimi do të mbahet në Kabinetin e presidentit bullgar.
Radev dhe Siljanovska Davkova, siç është paralajmëruar, sonte së bashku do të marrin pjesë edhe në operën “Nabuko” nga Xhyzepe Verdi, në inteerpretim të Operës dhe Baletit nacional.
Ky është takimi i parë i presidentes Gordana Siljanovska Davkova me presidentin e Bulglarisë Rumen Radev pasi që në Romë, gjatë përkujtimit të vëllezërve Kirili e Metodi nuk u realizua takim.
Në delegacionin Maqedonisë së Veriut në Sofje sot janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov.
Para vizitës së sotme me Siljanovska Davkovën, presidenti bullgar Radev deklaroi se pret përfundimisht të zgjidhen çështjet e hapura.
“Bullgaria gjithmonë ka qenë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik. Presim që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë të gjitha obligimet edhe ndaj nesh dhe ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi Radev.
Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka braktisur retorikën zgjedhore.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore. Nevojitet të kthehemi në realitet, marrëdhëniet tona do të varen nga marrëveshjet e lidhura”, tha Radevi.
Në prag të vizitës, kryeministri Hristian Mickoski dje në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çka pret nga e njejta, përsëriti se shteti dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe se këtu nuk ka kurfarë dileme.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ashtu do të vazhdojmë. I kemi pozicionet tona lidhur me interesat tona. Ne do të luftojmë për interesat tona si shtet dhe asgjë nuk duhet të jetë e çuditshme”, deklaroi Mickoski.
Ambasadorja e SHBA-së, Anxhela Ageler dje në një emision televiziv tha se është mirë që presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të shkojë në Sofje ku do të takohet me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.