Krerët e koalicionit “VLEN” së bashku me kuadrot e nominuara për të qenë pjesë e Qeverisë së re, gjegjësisht ministra, sot kanë mbajtur konferencë për shtyp në Shkup.
Nga aty janë bërë të ditura pikat programore të këtij koalicioni në qeverinë e re të titulluar “Kalojmë në veprim”.
Me këtë rast, Arben Taravari, njëri nga liderët e “VLEN-it”, bëri të ditur se koncepti i qeverisë në ardhje do të bazohet në katër shtylla.
“Ajo do të përqendrohet në katër shtylla: 1. Përshpejtim të integrimit evropian për çka Koalicioni VLEN është garanci në Qeverinë në ardhje në partneritet me BE-në dhe SHBA-të; 2.Luftë e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit që do të fillojë menjëherë në 100 ditëshin e parë; 3. Zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e standadrit të qytetarëve, dhe 4. Zhvillim i barabartë i të tetë rajoneve në shtet, ku në fokus do të jetë komuna, pra decentralizimi i pushtetit lokal”, tha Taravari.
Kjo qeveri patjetër është garantuese e rrugës evropiane të vendit, shtoi më tej Taravari dhe theksoi se “ndryshimet kushtetuese do ndodhin, po ashtu edhe termi 20% do të largohet nga Kushtetuta”.
Taravari tha se për të ndodhur ndryshimet kushtetuese, do të varet edhe nga pala maqedonase, por beson se do të “gjindet një zgjidhje brenda mandatit mes Shkupit dhe Sofjes”.
Ai premtoi se partneriteti me SHBA-të do të vazhdojë dhe se Maqedonia do të jetë vend prodhues e jo konsumues i sigurisë si anëtare e plotfuqishme e NATO-s.
Përpos kësaj, sa i takon pozicionit të tij në Qeverinë e cila pritet të mandatohet dhe të fillojë me punë nga dita e hënë e javës së ardhshme, si ministër i Shëndetësisë, nënvizoi se do të përqendrohet në disa çështje:
“1. Zgjidhjen e problemit me kompresorët në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup; 2. Shkarkimin e drejtorëve ekonomikë në çdo institucion publik shëndetësor. Për ata që kanë mandat katërvjeçar do të kërkohet nga Kuvendi të ndryshohet ligji; 3.Digjitalizimi i shëndetësisë ku do të përfshihet i gjithë sistemi shëndetësor publik dhe privat; 4. Rifillimin e punimeve për përfundimin e Spitalit të Kërçovës, dhe 5. Bashkimin e Qendrave Klinike nga viti i ardhshëm”, deklaroi Taravari.
Sa i takon sistemit të lartë arsimor, Taravari tha se UT-ja duhet të depolitizohet, si dhe të ndahet një buxhet më i lartë për këtë universitet dhe universitetet tjera, dhe prashikimin e një buxheti për UT-në për herë të parë për kërkime shkencore.
Janë edhe një sërë investime dhe projekte të cilat do të shpalosen në periudhën e ardhshme, tha ai, përmes të cilave qytetari dhe shteti do të jenë mbi të gjitha.