Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në fjalimin e tij në Konventën e dytë të FRASH-it, u shpreh rinia edhe në këto zgjedhje ka qenë benzina e makinës së ndryshimit.
“Me marrjen e pushtetit në duar disa janë keqkuptuar. Viktima të mentalitetit fatkeq që na ka lënë peshqesh sistemi i vjetër, tani ka disa dajallarë, halla e nipa që ndryshimin e duan të ndodhi brenda ditës së mërkurë. Po gjej rastin që nga kjo sallë e cila është mbushur me sinqeritet sepse të rinjtë janë gjithnjë të sinqertë, të them se ajo kohë mbaroi”, u shpreh Taravari.
Ai shtoi se ndryshimi është mision që u takon të gjithëve dhe secili duhet të angazhohet për ta sjellur ndryshimin e që duam.
“Ndryshimi është një aksion, vepër, mision që na takon të gjithëve. Secili duhet të angazhohet maksimalisht që të sjellim shtetin që e duam dhe duhet”, u shpreh Taravari.
Në fund të fjalimit, kreu i ASH-së, Arben Taravari theksoi se rinia është e tashmja dhe e ardhmja e vendit dhe se Aleanca për Shqiptarët gjithmonë do të jetë aty për t’i mbështet rinistët pa asnjë kompromis.