Në një kohë kur opozita dhe pushteti po shkrihen në një aleancë interesash, Gostivari po shfaqet si terreni i fundit i qëndresës qytetare. Largimi i Dr. Fadil Canës nga Taravari , pas rreshtimit të Taravarit me BDI-në, nuk ishte thjesht akt moral, ishte refuzim i hapur ndaj një kompromisi të ulët politik.
Sot, emri i tij po lakohet si alternativa e vetme reale për një Gostivar ndryshe, pa pazare, pa aleanca të fshehta dhe me integritet qytetar në thelb.
Ngjarjet e fundit në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë zbehur kufirin mes pushtetit dhe opozitës.
Aleanca për Shqiptarët, nga simbol i shpresës, u kthye në aleate të BDI-së, duke shkaktuar pakënaqësi të thellë në bazë. Në mesin e shumë figurave që braktisën këtë rreshtim ishte edhe infektologu Dr. Fadil Cana, një emër që sot përflitet si kandidat potencial për komunën e Gostivarit me mbështetjen e koalicionit opozitar VLEN.
Cana, i njohur për profesionalizëm dhe integritet gjatë krizës së pandemisë, përfaqëson një profil ndryshe, larg pazareve politike dhe i papërlyer me strukturat e vjetra. Ai refuzoi të bëhej pjesë e marrëveshjes Taravari–Ahmeti, të cilën shumë e konsiderojnë tradhti ndaj vlerave opozitare.
Nëse kandidohet, ai do të përballet me Valbon Limanin, të mbështetur nga Taravari dhe BDI, një përballje mes dy koncepteve:
modeli i vjetër që kërkon mbijetesë përmes aleancave të dyshimta dhe një alternativë qytetare që synon rikthimin e besimit përmes integritetit.
Zgjedhjet në Gostivar do të jenë më shumë se garë lokale, do të jenë një referendum për të ardhmen e opozitës dhe vetë qytetit, do të zgjedhë vazhdimësinë e kompromiseve apo një fillim të ri pa lidhje me të shkuarën?