Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në pyetje të deputetëve, deklaroi se ndryshimi i Kushtetutës për zhbllokimin e eurointegrimeve në vend, ka qenë një nga pikat e marrëveshjes me partnerin e koalicionit në Qeveri dhe thotë se me këtë Qeveri do të jetë shumë më lehtë hapja e negociatave me BE-në.
Deputetja Arbana Pasholli nga BDI-ja pyeti nëse kanë marrëveshje me partnerin e koalicionit për ndryshime kushtetuese për hapjen e eurointegrimeve dhe për definimin e gjuhës shqiptare si gjuhë zyrtare, në pajtim me premtimet parazgjedhore të ASH-së, dhe sa kohë do t’u duhet për këtë, pasi sipas saj, janë tejkaluar afatet e premtuara. Taravari, në këtë e pyeti çka ka bërë BDI-ja për këto çështje deri tani, edhe pse, thotë, ishit në pushtet shtatë mandate, ndërsa nga viti 2002 edhe premtuat se do të filloni me negociata dhe asgjë nga kjo nuk ndodhi.
“E vërteta është se një nga pikat në negociatat me partnerin tonë VMRO-DPMNE ishte negociata me BE-në. Unë jam shumë i lumtur, pasi ne e japim maksimumin tonë. Gëzohem se kryeministri është i orientuar proevropian, ka raporte të shkëlqyera me BE-në dhe SHBA-në. Hapja e negociatave do të jetë shumë më e lehtë me këtë Qeveri, sesa me BDI-në, të cilët kanë njerëz që janë në ‘listat e zeza’. Duhet të reformoheni, të zbritni në tokë dhe kur flisni për të tjerë, fillimisht të filloni nga vetvetja. Unë vazhdoj të mendoj, se Aleanca për Shqiptarët, së bashku me VLEN-in do të tentojë së bashku me këtë Qeveri edhe për fillim të negociatave me BE-në, por edhe që formulimi 20 për qind të hiqet nga Kushtetuta. Kjo bëhet në koordinim me partnerin kryesor në pushtet”, thotë Taravari.
Në pyetje të deputetes Pasholli nëse si lider i degës së tij të ASH-së dhe si kryetar i mëparshëm i Gostivarit, do të ndërmarrë ndonjë hap për ndryshim të emrave të rrugëve, të cilët, sipas saj, nuk e pasqyrojnë realitetin dhe nëse partneri i koalicionit ka marrëveshje për emërimin e vetëm rrugëve me numra në Gostivar, Taravari tha se emrat e rrugëve duhet të ndryshohen me konsensus, siç duhet në shekullin 21.
“Në Gostivar, Tetovë, Çair ne duhet të mësohemi se të gjithë ata që jetojmë këtu – shqiptarë, maqedonas, turq, romë, duhet të jetojmë së bashku. Për emrat e rrugëve duhet me kosensus të vendoset. Një të emërohet Ferid Murat, tjetra Nënë Tereza, tjetra Toshe Proeski. Ne duhet të merremi vesh mes vete, me dhunë nuk mund të ndryshohen emrat e rrugëve. Duhet të kemi marrëveshje me ata që jetojmë së bashku. Duhet ta ndryshojmë perceptimin e juaj të punëve, ashtu nuk shkon. Të gjithë janë distancuar nga ju, faktori ndërkombëtar, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja. Më tregoni një faktor relevant me të cilin bashkëpunoni, a i shihni anketat ku jeni, keni problem me vetveten. Ju duhet ngadalë ta ndryshoni të menduarit e juaj, dhe të kuptoni se tani jemi shekulli 21 dhe duhet të mendoni në mënyrë evropiane. Qëllimi i ynë si shtet është të shkojmë në Evropë, e jo të kthehemi në mesjetë”, tha Taravari në seancën kuvendore, kushtuar pyetjeve të deputetëve.