I madh e i vogël nga partia e BDI-së dolën në përurimin e rikonstruimit të rrugës së vjetër të Bllacës. Ndonëse ngjarja ishte e organizuar nga Ministria e transportit dhe lidhjeve, “të kaltërve” të kësaj partie ua prishi radhitjen vetëm ministri Bllagoj Boçvarski. Madje aty kishte drejtorë e ministra që nuk kishin të bëjnë fare me projektin e rehabilitimit infrastrukturor të rrugës magjistrale nga kufiri drejt Shkupit. Nga përfaqësuesit e qeverisë nuk hezituan të thurin lavde me pompozitet për punën e vet që duhet bërë.
“Kjo qeveri ka realizuar gjithçka që ka premtuar në mandatin e vet ose janë në përfundim të hapave të fundit. Rikonstruam gjithë këtë rrugë që ishte në gjendje katastrofale për disa javë përfundojnë edhe dy kilometrat e famshme të autostradës Shkup-Bllacë dhe në paraqitjen e tenderit për 10 km tjetra”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Përderisa garda e BDI-së krekosej para mediave, pas tyre qëndronin aktivistët e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim. Të rinjtë e opozitares LEN, me pankarta në duar dolën të shprehin revoltën e tyre për vonesa të shumta të zbatimi të këtyre punimeve.
Ndonëse ishe nikoqir i ngjarjes, Boçvarski foli më së paku nga që radha ishte e gjatë për në foltore.
“Ky është njëri nga katër akset rrugore që të çojnë drejt kufijve, të cilët janë kryer në muajt e kaluar. U përurua rruga Manastir-Mexhitlije, Strugë-Qafë Thanë dhe Kriva Pallankë-Deve Bair. Lidhja rajonale me shtetet fqinje është e një rëndësie e veçantë me benefite për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve”, u shpreh Bllagoj Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Gjatësia e rrugës magjistrale Shkup-Bllacë është 10 kilometra, kurse gjerësia e rrugës është 7,7 metra. Në këtë fazë të rehabilitimit kujtojmë që u përfshi edhe rikonstruimi i tunelit, vonesat e të cilit shkaktuan kolona të gjata në pikë të verës. Në kohen kur fluksi i qytetarëve ishte i shtuar në trafik në atë aks rrugor tuneli funksiononte me javë të tëra vetëm me një korsi sepse punëtorët patën shkuar në pushim kolektiv.
Në periudhën që u bë rikonstruimi i kësaj magjistrale, pati edhe aksidente të shumta në komunikacion, disa prej të cilave përfunduan me fatalitet. Arsyetimi i autoriteteve për këto humbje jetësh dhe dëme materiale ishte që nuk ka pasur mjaftueshëm sinjalistikë të përkohshme gjatë punimeve në rrugë./Alsat.mk