Me një manifestim solemn dhe atmosferë festive, dje u shënua 80-vjetori i themelimit të Bibliotekës së Tetovës “Koço Racin”, një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore dhe arsimore të qytetit. Ngjarja u hap me pika muzikore dhe një prezantim historik të rrugëtimit të bibliotekës që nga themelimi i saj në vitin 1945 e deri më sot. Drejtori i bibliotekës, Binas Pajaziti, në fjalën e tij theksoi rolin qendror që ka luajtur ky institucion në jetën kulturore të Tetovës për tetë dekada, duke nënvizuar se prioritet i së ardhmes mbetet digjitalizimi i plotë dhe ndërtimi i një objekti të ri modern.
“Me mbi 5 mijë anëtarë aktivë, biblioteka është sot një qendër e rëndësishme studimi, kërkimi dhe leximi, duke shërbyer për të gjitha kategoritë e lexuesve. Ajo disponon rreth 120 mijë tituj dhe mbi 150 mijë njësi bibliotekare në gjuhën shqipe, maqedonase, serbo-kroate dhe gjuhë të huaja”, tha Pajaziti.
Ai shtoi se biblioteka furnizohet rregullisht me shtypin ditor dhe periodik, duke ofruar një bazë të gjerë dokumentare dhe shkencore për studiuesit, nxënësit dhe lexuesit e rregullt. Në manifestim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili vlerësoi kontributin e bibliotekës ndër vite, duke e cilësuar atë si “tempull të dijes, arsimit dhe zhvillimit kulturor”. Kasami tha se komuna do të vazhdojë të mbështesë projektet kulturore, me qëllim që kjo bibliotekë të vazhdojë misionin e saj në shërbim të komunitetit.
Në kuadër të manifestimit u ndanë mirënjohje për punonjësit me mbi 20 vite përvojë pune në bibliotekë, të cilat u dorëzuan nga drejtori Pajaziti. Ndërkaq, mirënjohje të posaçme u ndanë për lexuesit më të rregullt dhe pensionistët, të dorëzuara nga kryetari Kasami.
Biblioteka e Tetovës është themeluar në vitin 1945. Fondi i saj fillestar është ngritur mbi librat e “Leximores së rinisë tetovare”, e hapur më 23 korrik 1922. Pas vitit 1945 ka funksionuar edhe biblioteka shqipe si institucion i pavarur, ndërsa në vitin 1949 të dy bibliotekat u bashkuan. Në vitin 2002, biblioteka u zhvendos në Qendrën e Kulturës, kurse në vitin 2023 gjeti më në fund hapësirat e saj të përhershme, duke krijuar kushte moderne për lexim dhe kërkim shkencor. Drejtori Pajaziti theksoi se biblioteka ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke u orientuar drejt teknologjisë dhe platformave të reja të komunikimit me lexuesit.
“Projektet ‘Rekomandim për libër’ dhe ‘Biblioteka, parajsa në tokë’ përfshijnë elemente multimediale, ndërsa biblioteka posedon edhe libra audio për fëmijë. Në proces është digjitalizimi dhe arkivimi online i publikimeve të rralla dhe të shtypit ditor të dekadave të kaluara”, theksoi ai. Manifestimi u mbyll me urime për vazhdimin e misionit të bibliotekës dhe me premtimin për investime të reja që do ta çojnë këtë institucion drejt standardeve bashkëkohore evropiane. (koha.mk)

