Përpjekjet për nxitjen e tensioneve ndëretnike janë realitet për të cilin shërbimet kompetente po i ndjekin informatat e duhura, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Ai shtoi gjithashtu se MPB-ja është e gatshme t’i përgjigjet ashpër çdo sfide që do të kishte për qëllim destabilizimin e shtetit.

“Deri më tani në publik është theksuar se shërbimet në kuadër të formave institucionale që kemi në vend, të cilat kanë të bëjnë me këtë lloj kompetence, kanë përcjellë dhe po përcjellin informatat e duhura tek organet kompetente qeverisëse në kuadër të tyre, dhe për të njëjtat janë njoftuar në mënyrë përkatëse kryeministri dhe presidentja. Pra, gjithçka që kemi thënë në të kaluarën në lidhje me përpjekjet që kemi parë disa prej tyre edhe në të kaluarën, në këto le të themi një muaj, në kuptimin e përpjekjejeve për të nxitur tensionet ndëretnike se ato janë realitet, ne jemi përgjigjur në mënyrë përkatëse, edhe në të ardhmen do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Për tensione të tilla ndëretnike për të cilat foli Toshkovski, në periudhën e kaluar përmes njoftimeve partiake atmosferën e nxiste BDI-ja opozitare – pikërisht partia për të cilën kryeministri Mickoski theksoi se përgatit destabilizim. Njoftimi i fundit i BDI-së në të cilin fajësojnë për incident me prapavijë ndëretnike është sulmi i disa personave ndaj kryetarit të FFM-së Muammed Sejdini. BDI-ja akuzoi se një sulm i tillë ishte “alarm për tensione ndëretnike në vend”, ndërsa akuzuan se sulmi ndaj Sejdinit është kryer nga persona të maskuar. Por, MPB-ja mohoi dhe dolën me qëndrim se sulmuesit nuk ishin të maskuar, ndërsa Toshkovski sot nuk tregoi se kush qëndron pas sulmit.

“Ministria e Punëve të Brendshme po i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, menjëherë është vepruar pas marrjes së denoncimit dhe veprohet në këtë drejtim. Ende nuk mund t’i përgjigjem pozitivisht pyetjes suaj”, shtoi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Përveç sulmit ndaj Sejdinit, BDI pretendon se përleshja mes të miturve në fund të javës së kaluar, ku mbetën të lënduar tre persona, ka pasur për qëllim që të shkaktojë tensione ndëretnike. Partia e Ahmetit pretendon se sulmi ndaj tre shqiptarëve në qendër të Shkupit është rezultat i mos dijes së pushtetit aktual t’i kultivojë marrëdhëniet ndëretnike. Në anën tjetër, që nga ardhja në pushtet, kryeministri Mickoski ka theksuar se BDI-ja është ajo që dëshiron të shkaktojë tensione ndëretnike aty ku nuk ka për shkak të disfatës së partisë në zgjedhjet parlamentare. Mickoski po ashtu tha se BDI-ja po përgatit skenar për destabilizim dhe se shteti dhe MPB-ja i kanë të gjitha resurset për ta parandaluar atë./Alsat.mk